Fotografia

Një histori dashurie

Fabrika e Glinës filloi aktivitetin e saj në vitin 1973 kur edhe u prodhua shishja e parë e Glinës. Ajo përbënte një inovacion teknologjik për kohën dhe një nga investimet më të rëndësishme në vend.
Fabrika e Glinës funksionoi rregullisht deri në vitin 1991. Pas viteve ’90 fabrika e Glinës pati të njëjtin fat me shumë fabrika, kombinate e të tjera ndërmarrje shtetërore. E plaçkitur, rrënuar dhe e kthyer në një gërmadhë, fabrika e Glinës e vitit 1996 ngjallte keqardhje dhe dukej plotësisht e pashpresë për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme.
E mira e viteve të errëta ishte vetëm një: nuk mund të bëhej më keq se ç’ishte dhe ka vetëm një rrugë për të jetuar, rruga e rikrijimit. Një rrugë që kërkon guximin e njerëzve vizionarë me disiplinë dhe vullnet të fortë si dhe me aftesinë për të parë dritën në fund të tunelit dhe atëherë kur çdo gjë duket se e kanë kundër.

Në vitin 1996, Fabrika e Glinës u ble nga Alfa S.A. me vizionin e rindërtimit dhe rikthimit të ujit të Glinës në tryezat e të gjithë shqiptarëve. Fabrika e Glinës u rindërtua sipas standarteve bashkëkohore, dhe jo vetëm risolli ujin e dashur te Glinës në tryezat shqiptare në vitin 1997, por vetëm një vit më pas, në vitin 1998, vetitë kurative të ujit Glina u rikonfirmuan nga Kongresi i Pestë Mjekësor Mesdhetar i mbajtur në Samos të Greqisë dhe uji i Glinës filloi eksportin në vendet europiane. Ringritja e fabrikës së Glinës, bëri të mundur vijimin e studimeve shkencore të përbërjes biokimike të ujit të Glinës përgjatë të cilave vihet re ruajtja e
pandryshuar e përbërjes minerale dhe vlerave ushqimore të Glinës.

Full Photo
Imazhi i dytë

Kanë kaluar mbi 25 vjet nga rikthimi i Glinës dhe fabrika e famshme ka njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm në këto vite, duke rritur sipërfaqen e saj nga 6 mijë në 102 mijë metra katrorë, duke rritur kapacitetin prodhues në 8 linja prodhimi, duke u kthyer kështu në një kompleks fabrikash ku prodhohen marka të mirënjohura kombëtare dhe ndërkombëtare si: Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton, Spring, Elbar, Amstel, Moretti etj. Investimi në makineri bashkëkohore, trajnimi i vazhdueshëm i stafit, bashkëpunimi me partnerë si PepsiCo dhe Heineken prej nga janë marrë praktikat më të mira të prodhimit, auditimet e vazhdueshme, aplikimet e sistemeve ndërkombëtare të cilësisë dhe një sërë certifikimesh si ISO 9001: 2015/ FSSC22000: 2018, janë ato që e bëjnë sot fabrikën e Glinës, një fabrikë të standardeve ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë në vend dhe një krenari kombëtare.